Albania Volleyball Fan's
  Tukseferi:Kupa Leksion për kampionatin
 
Volejboll-Meshkuj. Pasuesi i ekipit të Tiranës shprehet për synimet e skuadrës në fazën e dytë

Është mësuar gjithnjë të luajë me më të mirët dhe të ndodhet në majat e volejbollit shqiptar. Ky është Elton Tukseferi, pasuesi i Tiranës dhe i ekipit kombëtar, që gjithnjë ka treguar lojëra të mira dhe shpreson që një gjë të tillë të vazhdojë ta tregojë edhe këtë sezon, ku luan për bardheblutë. Ish-lojtari i Studentit dhe Dinamos tashmë përballet me një sfidë të re, atë të rikthejë Tiranën në majat e volejbollit shqiptar. Në kampionat, bardheblutë ishin të padiskutueshëm në fazën e parë, që në 8 ndeshje arriti po kaq fitore. Por disfata në gjysmëfinalet e Kupës ka lënë një shije të keqe në kampin bardheblu, por edhe një reflektim për të ardhmen. "Në gjysmëfinalen e Kupës skuadra nuk dha atë që pritej për disa arsye, të cila tashmë janë analizuar nga ekipi dhe natyrisht që do të shërbejnë për mësim për pjesën e dytë të kampionatit. Për këtë arsye, duhet të ulemi e të punojmë fort, për të mos përsëritur këto gabime në finalet e play off-it, ku konkurrenca do të jetë shumë e fortë. Tashmë dihet që Studenti dhe Teuta kanë kryer disa përforcime, ndaj dhe ne duhet të stërvitemi fort që të arrijmë t'i kalojmë me sukses këto ballafaqime. Kampionati natyrisht që është ende shumë i gjatë, por duhet të nisim që tani të mendojmë që të stërvitemi fort e të synojmë diçka në fund," - u shpreh dje për "Sportin shqiptar" një nga pasuesit më të mirë të volejbollit shqiptar në vitet e fundit dhe lider i bardhebluve në kampionat, Elton Tukseferi.

Këtë të shtunë nis faza e dytë e kampionatit dhe Tirana do të luajë në Vlorë ndaj Flamurtarit, një sfidë e lehtë për bardheblutë ndaj skuadrës që mbyll renditjen. Por për Tukseferin çdo ndeshje duhet vlerësuar, për të ruajtur serinë pozitive në kampionat. "Në fazën e parë, arritëm 8 fitore dhe nuk pësuam asnjë humbje dhe kjo natyrisht që është një sinjal pozitiv, por kjo seri duhet të vazhdojë edhe në fazën e dytë, që nis këtë të shtunë. Duhet të përballemi me çdo kundërshtar me të njëjtin intensitet dhe me dëshirë për të fituar," - shton më tej Tukseferi, që gjithnjë ka luajtur me ekipet më të mira në vend. Më tej, pasuesi i Tiranës dhe i kombëtares shqiptare do të jepte një deklaratë edhe për objektivin e tij personal të sezonit, atë të aktivizimit me ekipin kuqezi në eliminatoret e europianit. "Personalisht përpiqem të jap më të mirën te Tirana, stërvitem fort dhe shpresoj që të kem një formë të mirë deri në fund të sezonit. Por objektiv është edhe ekipi kombëtar, ku synoj të jem pjesë, ndaj dhe stërvitem 2 herë në ditë për të pasur një formë të mirë sportive dhe të jem në dispozicion të kombëtares," - përfundon Elton Tukseferi, një nga volejbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar të rrjetës.

 
  Today, there have been 2 visitors (3 hits) on this page! Të gjitha të drejtat e rezervuara!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free