Familja Prenga nga qyteti i Rubikut, sot me banim në Tiranë, me 5 anëtarë, Frani (babai), Vitorja (nëna) dhe tri motrat, Amarilda, Arjola dhe Adelajda, të pestë sportistë. Dhe po të shtosh këtu edhe dy vëllezërit, Besnikun e Gustin, që janë familje me vete, bëhen 7 sportistë. Në qytetin e vjetër të metalurgëve, Rubiku, ka dy fabrika, të cilat kanë nxjerrë qindra mijë tonë bakër të përpunuar. Por Rubiku ka qenë edhe fabrikë e nxjerrjes së sportistëve për Mirditën. Nga Rubiku kanë dalë futbollistë të shquar të Minatorit, si Pashk Zefi, Nikoll Doci, Mark Ruci, Toni (Pele i Rubikut) etj. Një qytet që gjithë kohën është shquar për një jetë të gjallë sportive. Edhe sot, në kushtet e vështira të tranzicionit, Rubiku zien nga gjallëria sportive. Një stadium i vogël me shkallë, model për mundësitë e terrenit, mbart mbi shpatullat e tij dhjetëra aktivitete në vit. Ish-futbollisti i Minatorit, sot kryetar bashkie, Mark Ruci, pa dyshim që ka një meritë të jashtëzakonshme për gjithçka që bëhet për sportin në këtë qytet. Këtë shembull duhet ta ndjekë bashkia e Rrëshenit, që veç volejbollit ka shumë pak interesim për futbollin e aktivitete të tjera. E nga ky qytet plot tradita doli edhe familja sportiste Prenga.
Fran Prenga, "Frani i Sportit"
Shquhet si futbollist që në aktivitetet e pionierëve në shkallë zone e rrethi. Në moshën 13 vjeç luan me ekipin përfaqësues të rrethit në spartakiadën kombëtare të pionerëve në Lezhë. Në moshën 15 vjeç vesh për herë të parë fanellën e të rriturve Minatori, por për nevoja kualifikimi rikthehet përsëri me ekipin e të rinjve e më pas luan përsëri me të rriturit. Jo vetëm sportist, por i thjeshtë, i dashur e mbi të gjitha mjaft i disiplinuar, që e la futbollin pa i njohur ngjyrat e kartonit të gjyqtarit. Frani ishte edhe sportdashës i organizuar i aktiviteteve sportive, sa që kur punonte si instruktor, asnjëherë nuk i thërrisnin "shoku instruktor" apo "shoku Fran". Të gjithë i flisnin "Frani i Sportit". Në atë kohë ishte ngritur edhe ekipi i volejbollit për të reja, kategoria e parë. Frani gjente mundësinë për të ndjekur stërvitjen e ndeshjet e tyre. Dhe këtu Frani tregohet mjeshtër. Peshkon me kujdes volejbollisten Vitore Tusha, lojtare me pasion të madh, e gjatë, e bukur. E Frani nuk gaboi. Krijohet një çift ideal, që do të bëhet familje sportistësh me emër.
Vitore Prenga, "latusha" e rrjetës
Ose Latusha siç e thërrisnin. I thonin kështu për gjuajtjet e forta që bënte si shutere e pozicionit 4. Fjalës latushe në Mirditë i thonë njëlloj sopate që pret fort e shpejt. Edhe Vitorja, një volejbolliste shembullore në të gjitha drejtimet, kishte forcën,por punonte shumë në elementin teknik që kishte pak mangësi. Kishte pasion shumë të madh në stërvitje dhe grintë për të fituar çdo ndeshje. Ja si shprehej në atë kohë trajneri i saj, Haki Halili: "Sikur t'i kisha të gjitha sportistet me gjakun e Vitores, nuk do të lija ndeshje pa fituar." Vitorja e la para kohe sportin, pasi shpejt bëhet nënë dhe e kishte të pamundur ardhjen çdo ditë nga Rrësheni në Rubik për stërvitje, ku banonte. Por këtë merak të shkëputjes së shpejtë nga sporti do t'ia hiqnin tri vajzat e saj talente te volejbollit shqiptar, të cilat do t'i portretizoj shumë pak, pasi është folur e shkruar aq shumë për to, sa që falë talentit të tyre ato i njeh e gjithë Shqipëria e më tej.
Amarilda Prenga, volejbolli në gjak
Në moshën 14-vjeçare luan me të rriturat e Minatorit të Rrëshenit, ndërsa në moshën 18-vjeçare kalon me ekipin e Dinamos. Duke qenë shef i klubit sportiv në atë kohë, më kritikuan shumë për dhënien e leje kalimit. Por edhe sot, pas 11 vitesh, nuk jam penduar se duke parë talentin e saj dola mbi interesat e ngushta të rrethit dhe e dorëzova në duart e trajnerit të madh Kreshnik Tartari. Luan për 8 vjet me Dinamon, ku legjenda e volejbollit shqiptar, Ela Tase, në mënyrë ceremoniale i dorëzonte Amarildës numrin 1, që dikur e ka mbajtur vetë. S'ka më bukur. Luan 2 vjet në Greqi me Apollonin e Athinës dhe me pas për një sezon me Dinamon e Bukureshtit, një nga ekipet më të forta në Europë. Anëtare dhe kapitene e ekipit kombëtar. Më 2004 në eleminatoret e kampionatit botëror, në Londër shpallet shuterja më e mirë e grupit dhe në vitin 2005 shuterja më e mirë e kampionatit grek. Këtë vit aktivizohet me ekipin francez Rocheville Le-Cannet, me të cilin është kualifikuar në katër skuadrat më të mira të Kupës CEV. S'ka më bukur. Çdo fjalë tjetër është e lodhshme për lexuesin. Amarilda, të urojmë suksese në karrierën tënde të shkëlqyer sportive!
Arjola Prenga
E fillon volejbollin me ekipin e moshave në Rrëshen. Një vit luan me të rriturat e Minatorit dhe më pas për 6 vite me radhë me Dinamon, ku shpallet dy herë kampione e vendit. Lojtarja më e mirë në kampionatin e kaluar. Kapitene e ekipit kombëtar të të rejave dhe paratërejave. Sivjet luan me Tiranën, ku vajti pas shkrirjes së ekipit të Dinamos. Suksese, Arjola! Gjithmonë në shembullin e motrës së madhe e pse jo edhe më lart!
Adelajda Prenga
E ka filluar volejbollin me Aulona Volej, sot UMB Volej. Lojtare me perspektivë e këtij ekipi, herë si pasuese dhe herë si libero. Anëtare e ekipit kombëtar të paratërejave. Është vetëm 16 vjeç, por premton shumë me talentin e saj. Punë dhe vetëm punë për t'u bërë si dy motrat e tua. Je motra e tretë dhe më e vogla, nesër të takon ty të jesh më e madhja.
Të tri motrat nga duart e ustait të madh
Usta? Shumë pak kjo fjalë për trajnerin e madh Kreshnik Tartari. Të trija motrat nuk lindën talente, talente i bëri Kreshnik Tartari, natyrisht me punën e tyre e nën kujdesin e familjes. Ndërmjet Kreshnik Tartarit e familjes Prenga është krijuar një lidhje e pazgjidhshme. Kreshnik, për punën që ke bërë të respekton familja dhe tri sportistet. Por të respekton e gjithë Mirdita, që nxore tri talente mirditore. T'u rritë ndera, o miku u mirditorëve!
Nga 5 sportistë bëhen 7
Bëhen 7? Si është e mundur? Fare thjesht. Frani ka pasur edhe dy vëllezër futbollistë, Agustin dhe Besnikun, që pavarësisht se janë të ndarë, i përkasin të njëjtës familje. Agustin Prenga luajti për shumë vite me ekipin e të rinjve dhe të rriturve të Minatorit. Besnik Prenga ka luajtur futboll me Minatorin, Partizanin, kombëtaren dhe Dinamon e Zagrebit për shumë vite, ku mbylli karrierën e tij. Edhe vëllai i katërt, Sandër Prenga, ka kontributin e tij në sport. Duke qenë drejtues rinie për qytetin e Rubikut ai u bë shpejt dhe organizatori i aktiviteteve sportive. Kryetar i këshillit sportiv dhe anëtar i komitetit të fiskulturës së rrethit dha kontributin e tij në të gjitha veprimtaritë sportive.
Të veçanta
Dy motrat, Amarilda dhe Arjola, disa vite kampione të Shqipërisë në volejbollin e plazhit. Motra e tretë, Adelajda Prenga, kampione me të rejat në volejbollin e plazhit. Komentatori, pedagogu Artan Pogoni, teksa komentonte ndeshjet e ballkaniadës së paratërejave, korrik 2007 në Durrës, duke përmendur emrin e Adelajdës në një moment, tha: Dinastia "Prenga" në volejboll. Shkruam vërtet për një rast të rrallë për një familje tërësisht sportive, për një familje model jo vetëm në sport, por edhe në punë e shoqëri.